Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar u tkurr me 20.4% në prill për shkak të pandemisë

Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar u tkurr me 20.4% në prill

Britania e Madhe ka regjistruar një rënie mbi 20 për qind të prodhimit të brendshëm në muajin prill, për shkak të kufizimeve të vendosura nga pandemia. Ekonomia pritet të rimëkëmbet me kalimin në fazat lehtësuese teksa të infektuarit me Covid i afrohen shifrës 300 mijë.

Izolimi kundër pandemisë përgjatë një muaji ka asgjësuar një të pestën e ekonomisë britanike.

Zyra kombëtare e statistikave njoftoi të premten se veprimtaritë tregtare të vendit u tkurrën me 20,4 për qind në muaj prill nga muaji i kaluar apo me 24,5 për qind nga viti në vit.

Kjo rënie i atribuohet masave të ashpra të karantinës që nisën të aplikohen nga data 23 mars për të vënë nën kontroll pandeminë e koronavirusit.

Për pasojë, rrugët e vendit u zbrazën nga qytetarët, dyqanet nga blerësit, zyrat e punës nga punonjësit dhe qiejt, nga linjat e fluturimit.

Sipas institucionit të statistikave në vend, rënia e prillit është më e madhja për Britaninë, tri herë më e lartë sesa muaji paraardhës dhe gati 10 dhjetë herë më e thellë sesa periudha para Covidit-19.

Sektori i ndërtimit raportoi ulje me 40,1 për qind, prodhimi u ul me 20,3 për qind, ndërsa u mbyllën përkohësisht ose pezulluan tregtinë 75 për qind e bizneseve.

Këto shifra bënë që krahasuar me krizën financiare global, rënia e dy muajve më parë të jetë tri herë më e madhe sesa në vitet 2008-2009.

Të premten vendi konfirmoi mbi 292 mijë raste personash të prekur nga koronavirusi ndërkohë që numri i viktimave kaloi shifrën 41 mijë.

Megjithatë me lehtësimin e masave, me rihapjen graduale të bizneseve dhe të veprimtarive të tjera jothelbësore duke nisur nga dita e hënë, ekonomia shpresohet se do rikuperojë humbjet në muajt që vijnë.

Ritmi i rimëkëmbjes do të kushtëzohet edhe nga bisedimet me Brukselin për procesin Brexit.

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të mërkurën paralajmëroi autoritetet se ekonomia britanike mund të bjerë deri 14 për qind në vitin 2020 nëse vendi përballet me një valë të dytë pandemie.

Në tregun shqiptar, një paund britanik u këmbye të premten me më pak se 139 lekë.

EMISIONET