Tirana është skuadra e momentit në kampionatin shqiptar pasi ka regjistruar 7 fitore radhazi duke hyrë në "valle" për titullin kampion. Bardheblutë me në krye trajnerin Emanule Egbo nuk njohin rezultat negativ ndërsa testi i radhës i kryeqytetasve do të jetë nesër ndaj Skënderbeut. Trajneri nigerian Egbo në konferencën e zakonshme për shtyp ditën e sotme u shpreh se vlerëson kundërshtarin dhe trajnerin Ilir Daja, por theksoi seTirana e ka përgatitur mirë ndeshjen e nesërme dhe se beson te një rezultat pozitiv ndaj korçareve.

Si e keni përgatitur ndeshjen me Skënderbeun?

Të gjitha ndeshjet janë në një nivel të vështirë. Edhe ndeshja me Luftëtarin dhe Flamurtarin janë të njëjta si kjo me Skënderbeun. Çdo ndeshje duhet të vlerësohet maksimalisht. Çunat dhe ekipi janë gati që të japin 100% në fushën e lojës.

Keni planifikuar të lini pushim ndonjë prej titullarëve?

Nuk më vjen mirë kur flitet për titullarët. Siç e kam thënë, të gjithë lojtarët brenda në këtë ekip, janë titullarë. Nuk ka rëndësi se kush e nis. Ka disa lojtarë që kanë luajtur shumë ndeshje bashkë dhe nuk mund t’i quaj titullarë, por lojtarë që rastis të nisin ndeshjen. Nuk ka ekip i parë dhe ekip i dytë te Tirana. Janë lojtarë të gatshëm në çdo ndeshje.

Cilat mendoni se janë pikat e dobëta të Skënderbeut?

Ne gjithmonë shohim lojën tonë dhe unë merrem me ekipin tim. E vlerësojmë Skënderbeun, pasi kanë një trajner të mirë dhe lojtarë që kanë luajtur bashkë për disa vjet. Ndeshje është vlerësuar maksimalisht.

Ju tremb fakti që në ndeshjen e kaluar në Korçë keni humbur?

Po kemi fituar në Tiranë 3-1 dhe humbëm në Korçë 2-1. Nuk ka rëndësi çfarë ka ndodhur, shohim përpara. Nëse lojtarët luftojnë për çdo top dhe japin maksimumin do marrim atë që meritojmë.

A do t’ju shërbente një lojtar si Bruno Dita?

Unë flas për lojtarë që kam. Dita është një lojtar i mirë, është një armë plus për atë ekip që e ka. Nuk flas për lojtarët që s’kam në ekip.

A prisni një ndeshje me shumë gola nesër?

Besoj se Tirana di të krijojë raste dhe të shënojë. Kemi biseduar me lojtarët që nëse mbajmë zero mbrapa, mund të shënojmë gola. Skënderbeu dhe ne luajmë hapur. Ai që bën më pak gabime do marrë maksimumin e ndeshjes.

Tirana e cila pozicionohet në vendin e 2-të në tabelën e klasifikimit me 40 pikë do të përballet nesër me Skënderbeu sa i takon javës së 22-të në Kategorinë Superiore.

/Ora News.tv/