Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm në Shkup, në kuadër të Procesit të Berlinit.

Në takim u nënvizua rëndësia e bashkëpunimit rajonal, si shtytës i fuqishëm në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Ky proces ka pasur një ndikim të mirë në përmirësimin e marrëdhënieve mes gjashtë shteteve në Ballkanin Perëndimor dhe nxitjen e një varg projektesh në shërbim të zhvillimit rajonal, duke filluar nga ndërlidhja ekonomike deri te nismat për pajtim ndëretnik”- theksoi Cakaj në reagim.

Sidoqoftë, sipas Kryediplomatit, forcimi i Procesit të Berlinit duhet të zhvillohet në të njejtën kohë me forcimin e perspektivës evropiane për të gjithë rajonin.

Për këtë, Cakaj u shpreh se në shërbim të shtimit të lidhjeve mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë tepër të rëndësishme dy vendime të shpejta: liberalizimi i vizave me Republikën e Kosovës, jo vetëm për të siguruar lëvizjen e lirë të shtetasve të saj, por edhe për të konsoliduar besueshmërinë e BE-së në rajon dhe çelja e negociatave për anëtarësim në BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si masë e natyrshme pas përparimit të tyre në rrugën evropiane e si investim strategjik në Ballkanin Perëndimor.

“Shqipëria do të vazhdojë politikën e saj konstruktive në rajon e në shërbim të integrimit evropian” thekson Cakaj.

/Ora News.tv/