Një seri vendesh evropiane, dhe kryesisht Italia, raportojnë disbalanca të tepërta ekonomike të cilat po rrezikojnë qëndrueshmërinë e bllokut evropian. Sipas komisionierit për ekonominë dhe financat e eurozonës, Roma duhet medoemos të marrë masa për uljen e borxhit publik nga niveli aktual prej 131 për qind dhe të nivelit të kredive të këqija në sistemin e saj bankar, përndryshe pasojat e recesionit që vendi po përjeton prej muajsh do të shtrihen përtej kufijve të vendit.

Komisioni Evropian ka paralajmëruar Italinë se disbalancat ekonomike në vend, siç janë borxhi i lartë, shpenzimet publike dhe niveli i kredive të këqija në banka, kërcënojnë qëndrueshmërinë e vendeve të tjera të eurozonës.

Në raportin dimëror për ekonomitë e Bashkimit Europian, Komisioni theksoi se një numër vendesh, mes të cilave Franca dhe Gjermania po ashtu po përjetojnë momente disbalancash në tregjet e tyre, por më serioz mbetet rasti i Italisë, e cila është edhe ekonomia e tretë më e madhe e bllokut.

Moscovici: Italia po përjeton një zhbalancim të tepruar. Borxhi i lartë qeveritar dhe dinamikat e ulëta të produktivitetit rrezikojnë të kenë pasoja përtej kufijve të vendit. Mesazhi ynë për Italinë mbetet ai i mëparshmi: të merren hapat për të përmirësuar cilësinë e financave publike, të rritet efektshmëria e administratës publike dhe e sistemit të drejtësisë, dhe të përsoset klima për biznes dhe sistemi i saj financiar.

Në Bruksel, "disbalancat e tepërta ekonomike" shihen si një sirenë alarmi për ekonomitë evropiane që janë më të prekura nga goditjet ekonomike dhe financiare.

Italia ka mbetur në shënjestrën e Komisionit Europian që prej fundvitit të kaluar, kur për herë të parë u hodhën poshtë planet e qeverisë së Romës për të përmbushur premtimet elektorale në kurriz të një deficiti dhe borxhi publik më të lartë.

Komisionieri evropian për çështjet e ekonomisë dhe financës në eurozonë tha të mërkurën se gjendja e disbalancave ekonomike në Itali mund të përmirësohet nëse qeveria italiane ndërmerr reformat e duhura.

Ndryshimet e thella fiskale apo reforma e pensioneve shihen si një urgjencë kombëtare për sa kohë vendi prej muajsh përballet me një recesion ekonomik.

/Ora News.tv/