Siguria e Kosovës është e qëndrueshme dhe nuk ka asnjë informacion për destabilizim.
Kështu deklaroi kryeministri Ramush Haradinaj në përgjigje të interesit të mediave gjatë konferencës së përbashkët me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.
Haradinaj: Të gjithë mekanizmat e rendit dhe sigurisë konfirmojnë që situata e sigurisë në Kosovë është stabile. Vrasja e Oliver Ivanoviç është marrë seriozisht nga instituconet e vendit, policia, hetuesia, Inteligjenca. Nuk ka paralajmërime për çfarëdo destabilizimi të Kosovës. Edhe vizita e Vuçiç kaloi në një atmosferë korrekte dhe besojmë se edhe porosia nga kjo vizitë është e qartë se përgjegjësitë për të gjithë në Kosovë i ka Kosova.
Ndërkohë Meta nënvizoi rëndësinë e integrimit të rajonit në BE.
Meta: Duhet të bëjmë çdo gjë për të përmbushur zotimet tona në rrugën e integrimeve europiane. Sa i takon strategjisë së zgjerimit është e rëndësishme të ketë në konsideratë në gjithë vendimarrjen të gjitha raportet në këtë rajon në mënyrë që gjithë rajoni të inkurajohet dhe të ketë data apo afate inkurajuese sa i takon procesit të reformave që do ta transformojnë këtë rajon në një rajon të vërtetë europian.
Ndërkohë Haradinaj tha se Kosovën e vështirëson shumë fakti se 5 vende të BE nuk e kanë njohur.
Haradinaj: Ky është një handikap i madh, shpresoj të tejkalohet.
I pyetur mbi çështjet e nxehta të politikës kosovare, Demarkacionin dhe Gjykatën Speciale, Meta tha se janë zgjidhje që do ti japin institucionet e Kosovës.
/Ora News.tv/