Ekskluzive/ Derbi i kryeqytetit, legjendat e Tiranës tregojnë recetën anti-Partizani

Ekskluzive/ Derbi i kryeqytetit, legjendat e Tiranës tregojnë

Derbi kryeqytetas po afron, e si Tirana e Partizani po bëjnë gati artileritë e tyre për ndeshjen më të rëndësishme të futbollit në vend. Në këtë përballje Tirana po kërkon recetën që do të prish "mallkimin" 5 vjeçarë të ndeshjeve derbi dhe kush më mirë se figurat e rëndësishme të bardhebluve mund të jepnin disa këshilla për ish-skuadrën e tyre, që në derbin me "demat e kuq" e kanë harruar shijen e fitores.

Ish-ylli i bardhebluve, Elvis Sina tha ekskluzivisht për "Ora Neës" se nëse Tirana dëshiron të triumfojë duhet të mos humbasë vigjilencën në asnjë moment të kësaj ndeshjeje.

Elvis Sina: "U bë një kohë e gjatë që ekipi i Tiranës nuk po e fiton derbin. Por paraqitjet që ka bërë të paktën në ndeshjet e fundit, pas një luhatjeje që pati para ca javësh të jep shenja pozitive që derbi duhet të flas për Tiranën. Ekipi ka treguar një lojë, ka treguar specialitet dhe mendoj se me seriozitetin që ka treguar do të vazhdojnë edhe me këtë ndeshje, duke e konsideruar gjithnjë si ndeshje e radhës."

Nga ana tjetër ish-mesfushori i Tiranës, Saimir Patushi, thotë se ky do të jetë derbi më i fortë i këtij sezoni, midis skuadrave kryeqytetase, pasi dy ekipet po bëjnë lojën më të bukur në kampionat. Patushi shton se thembra e Akilit te ish-ekipi i tij është mbrojtja, ku bardheblutë duhet të bëjnë kujdes.

Saimir Patushi: "Unë mendoj se ky do të jetë derbi më i mirë. Mendoj se si Tirana ashtu edhe Partizani janë dy ekipet që po bëjnë futbollin më të mirë. Besoj se ky do të jetë derbi më i bukur në vitet e fundit. Nuk mund të themi asnjëherë në derbi se superiore mund të jetë Partizani apo Tirana, apo fusim këtu edhe Dinamon edhe pse është një kategori më poshtë. Nga përvoja ime si ish-sportist i Tiranës vetëm në derbi nuk ka fitues dhe humbës."

Derbi i kryeqytetit do të luhet të premten e 1 marsit në "Selman Stërmasi", duke nisur nga ora 18:00. 

EMISIONET