Orges Shehi debutoi sot në pankinën e Kukësit, pro nënkampionët e Shqipërisë nuk mundën të rikthehen tek fitorja që mungon prej  5 javësh.  Në “Elbasan Arena” përballë Vllaznisë, Kukësi barazoi 0-0 ndërsa Shehi theksoi se ndikuan jo pak mungesat e shumta dhe gjendja e rënduar psikologjike.

Nuk morëm atë që dëshironim, ndonëse e dinim shkallën e vështirësisë dhe problemet e kësaj sfide. Nga dëshira e madhe për të fituar, ishim pak të zhbalancuar. Na u dha rasti në fund dhe nuk arritëm të finalizonim, por ky është futbolli dhe nuk ke çfarë bën. Nëse nuk shënon, ndryshon dinamika e ndeshjes. Nuk dua të bëj qaramanin, por mungonin shumë lojtarë. Mungonin Rroca, Ethemi dhe Musolli, ndërsa futëm Abazajn me një këmbë, pasi nuk kishim alternative dhe bëmë disa arnime. Kjo na solli vështirësi edhe në ndërtimin e lojës. Po të mungojë zemra e mesfushës, është e vështirë.

A besoni ende te titulli, tani që jeni 6 pikë pas Tiranës në renditje?

Diferenca u thellua, por ne kurrë nuk do të dorëzohemi. Gjashtë pikë ndoshta janë shumë, por janë edhe pak, duke ditur që ka edhe shumë javë. Do të tentojmë deri në fund. Gjatë këtyre ditëve kam problem dëmtimin e Shkurtajt, kam frikë se do të mungojë shumë javë.

/Ora News.tv/