Johnson: Britania është në pikun e rrezikut maksimal, ende durim për karantinën

Johnson: Britania është në pikun e rrezikut maksimal, ende durim

Kryeministri britanik, Boris Xhonson, i është rikthyer punës një muaj pas diagnostikimit me koronavirus, për t'u përballur me pandeminë por edhe me kritikat se qeveria e tij nuk ka qenë në lartësinë e duhur për ta luftuar armikun e padukshëm që ka vrarë mbi 20 mijë qytetarë.

Kryeministri britanik, Boris Xhonson, është rikthyer në selinë qeveritare për të rimarrë me kohë të plotë detyrat në përballjen e vendit me pandeminë.

Britania e Madhe ka regjistruar mbi 150 mijë persona të infektuar që prej aplikimit të karantinës muajin e kaluar, ndërsa viktimat kanë arritur mbi 20 mijë.

Pasi kaloi disa ditë nën kujdesin intensiv spitalor me simptoma të koronavirusit, 55-vjeçari Xhonson tha të hënën se qeveria e tij e sheh ende të hershëm hyrjen në fazën lehtësuese të masave të karantinës.

"Duhet të dimë rrezikun që një shpërthim i dytë i pandemisë do e nxirrte virusin jashtë kontrollit tonë, duke sjellë një valë vdekjesh dhe sëmundjeje por edhe një katastrofë ekonomike, që do na detyronte t'i vinim frenat edhe një herë të gjithë vendit, të gjithë ekonomisë," u shpreh Xhonson.

Qeveria e tij është kritikuar për reagimin e vonuar që mund ta ketë rritur bilancin e infeksionit në vend, por edhe për numrin e ulët të testimeve në popullatë apo mospajisjen e spitalore me mjetet dhe aparaturat e nevojshme mjekësore.

Përpos qytetarëve, edhe mes konservatorëve afër kryeministrit po rritet presioni për lehtësimin gradual të masave të karantinës.

Ish-ministri i Financave, Filip Hamond, në fundjavë paralajmëroi se vendi nuk mund ta tolerojë gjendjen e shtetrrethimit deri në gjetjen e një vaksine, dhe se ekonomia nuk do të mbijetonte dot aq gjatë.

Sipas një analize të fundit, kriza e koronavirusit ka rritur pasiguritë në tregun e punës duke lënë 2 miliona veta pa punë në muajin prill, në rrezik të shtuar rreth 35 për qind të punonjësve kryesisht në sektorët si hoteleria dhe turizmi dhe personat me shkollimin më të ulët.

Një raport parlamentar tregon se në këto pak javë janë rritur me gati 50 për qind edhe rastet e dhunës në familje, ndërsa numri i vrasjeve është dyfishuar.

EMISIONET