Myslimanët në Bullgari sivjet do e presin Ramazanin në kushtet e kufizimeve për shkak të koronavirusit. Vendi deri në fundjavë ka ndaluar hyrjen e personave dhe automjeteve nga Turqia për arsye të përhapjes së pandemisë.

Bullgaria ka mbyllur përkohësisht pikat e saj kufitare me Turqinë për njerëzit e thjeshtë dhe automjetet, me përjashtim të maunave të mallrave, nga e premtja deri të dielën.

Masat u njoftuan një ditë më parë për të ndalur fluksin e planifikuar të hyrjeve me rastin e muajit të Ramazanit, dhe mundësinë që kjo periudhë fillestare të rritë përhapjen e infeksionit të koronavirusit nga nënshtetasit myslimanë që jetojnë në vendin fqinj.

"I paralajmëruam bullgarët të mos udhëtojnë me familjet dhe të afërmit brenda apo jashtë vendit para Pashkëve. Tani po e bëjmë edhe me fillimin e Ramazanit. Edhe kur masat të humbasin fuqinë, qytetarët që udhëtojnë mes dy vendeve më vonë do të futen në karantinë nëse e kalojnë kufirin," informoi të enjten Ministria e Jashtme bullgare.

Masa u konsultua edhe me kolegët turq dhe palët u pajtuan se vendimi ishte në interes të qytetarëve.

Një pjesë e rreth 300 mijë qytetarë me origjinë bullgare që jetojnë në Turqi shpresonin këtë vit të vizitonin të afërmit e tyre për Ramazan.

Por rreziku i udhëtimeve nga Turqia është rritur së tepërmi sepse vendi konfirmon mbi 100 mijë bartës të Covid-19 dhe gati 2,500 viktima, ndërsa në Bullgarinë fqinje, pandemia është kontrolluar më mirë, me mbi 1,000 të infektuar dhe 52 viktima.

Të përballura më këtë situatë, xhamitë në të dyja vendet në muajin e shenjtë të myslimanëve qëndrojnë të mbyllura që nga marsi teksa respektohen masat e distancimit social.

Në Turqi autoritetet po zbatojnë edhe shtetrrethim të plotë në 31 qytete, përfshirë kryeqytetin dhe qytetin nga më të mëdhenjtë e botës, Stambollin.

/Ora News.tv/