"BOOM" - Shkoza si Kabuli! “E ka lënë lali Eri për faqe të zezë! Turp të ketë!

"BOOM" - Shkoza si Kabuli! “E ka lënë lali Eri

Tejzgjatja e punimeve në segmentin lindor të Unazës së Madhe të Tiranës, në Shkozë, duket se nuk është i vetmi shqetësim i komunitetit.

Mbetjet e shumta inerte që janë shkaktuar si pasojë e prishjeve të ndërtesave të banimit e jo vetëm, por edhe vendgrumbullimi i mbetjeve të tjera urbane, janë kthyer në një problematikë të madhe në këtë zonë.

Derisa projekti të përfundojë, banorët e zonës nuk mund t’i durojnë dot më pirgjet e shumta me inerte dhe mbeturinat e konsumit të përditshëm.

Emisioni “BOOM” sjell pamje nga territori aty. Një pamje aspak e zakontë, aq më shumë që preket nga afër nga shumë qytetarë e drejtues të mjeteve që u bie rruga të kalojnë.

Bazuar në Ligjin nr. 139/2015 Për Vetëqeverisjen Vendore, Neni 26, pika 1 “Bashkia është përgjegjëse për Sigurimin, në nivel vendor, të masave për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, tokës dhe ujit nga ndotja”.

“Këto i krijoi bashkia, se prishi ndërtimet, prishi urat dhe kanë ngelur po në vend. Edhe për ne është keq, se gjithë këto lloj sëmundjesh e nuk vë dorë njeri. Për ne nuk pyet njeri. Fol sa të duash, se Erion Veliaj sheh interesin e vet, nuk sheh interesin e popullit. I kemi humbur të gjitha shpresat. Mbeturinat, ja si janë”.

“E ka lënë lali Eri për faqe të zezë. Turp të ketë! Njerëzit sa më shumë të protestojnë, aq më në rregull janë. Ne kemi një kryetar bashkie që zgjidh vetëm hallet e veta, edhe del atje, e ke parë si del? Del mbjell pemë, sikur punon , sikur u lodh, u këput , po si nuk i vjen turp një here, sepse të gjithë e kuptojnë që ai e bën vetëm për ta parë”.

“Shyqyr Zotit që kemi maskat. Duhet t’i pastrojnë. Shembën ndërtimin? Duhet t’i heqin të gjitha inertet që të pastrohet. Dekompozohen plehrat e gjërat”

“Aty kam shtëpinë. Këto plehrat më kanë bllokuar edhe kanalet e ujërave të zeza” , thone banoret.

“Qëndresa Qytetare” është organizata që po i del në krah banorëve.

Ajo po realizon një peticion ku banorët kanë mundësi të konfirmojnë ankesat për këtë dukuri duke firmosur për këtë.

Më pas, peticioni do t’i drejtohet Bashkisë Tiranë, ku i kërkohet të marrë masa për heqjen e mbetjeve në këtë zonë.

Tea Zeqaj, analiste e mjedisit: Qëndresa qytetare ka nisur këtë angazhim prej interesit që kanë shprehur banorët në atë zonë, për t’i dhënë zgjidhje një problematikë që kishte rreth dy vjet që i shqetësonte. Për shkak se punimet e Unazës së Madhe janë ndërprerë, aty është shkaktuar një vatër mbetjesh: inerte dhe urbane.Duke parë gjithë këto problematika që banorët kanë, sidomos gjatë verës, ata kanë kërkuar mbështetjen tonë në rang ligjor. 

Bashkia e Tiranës është përgjegjëse për të rregulluar këtë situatë mjedisore . Me anë të një peticioni, ne duam që zërin e banorëve ta ngremë dhe ta drejtojmë te Bashkia Tiranë, që më në fund kjo problematikë të marrë zgjidhje. Kemi nisur një peticion elektronik, një mënyrë e re e kanalizimit të zërit të qytetarëve pranë institucioneve publike. Janë mbledhur më shumë se 30 firma elektronike nga banorët e zonës aty. Do të dalim edhe në terren për të mbledhur firma të tjera fizike dhe “fidbeku” që kemi marrë nga banorët ka qenë shumë pozitiv sepse interesi për një problematikë të tillë është shumë i lartë”.

EMISIONET