Barbaria ndaj jetës së egër, 3 rrëqebuj të vrarë ekspozohen në një restorant në afërsi të Elbasanit

Barbaria ndaj jetës së egër, 3 rrëqebuj të vrarë

Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri ka ngritur alarmin për rrezikun që I kanoset kafshëve të egra. Një lokal në Elbasan sipas të raportit ka në brendësi të tij rrëqebuj, arinj dhe kaprollë të vrarë dhe balsamosur, të cilët ekspozohen për “zbukurim” ambienti. Lajmi ka tërhequr vëmendjen edhe të të përditshmes franceze “Liberation”.

E përditshmja franceze, “Liberation” ka publikuar një artikull për barbarinë ekstreme, siç e cilëson ajo, ndaj jetës së egër në Shqipëri.

Gazeta citon Shoqatën e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Mjedisit Natyror, sipas së cilës një restorant i vetëm në hyrje të qytetit të Elbasanit ka në brendësi të tij 30% të popullatës të të gjithë llojit në Shqipëri.

Fatkeqësisht jo të gjallë, por të vrarë, të masakruar dhe të ekspozuar për “zbukurim” ambienti.

Në këtë restorant, sipas PPNEA, ekspozohen jo vetëm rrëqebuj, por edhe arinj, kaproj dhe lloje të tjera të mbrojtura, madje aty serviren edhe pjata me kafshë e shpendë të egra, përfshirë derra të egër, kaproj, mëllenja dhe shapka.

Rrëqebulli i Ballkanit është i listuar si i rrezikuar në mënyrë kritike. Në Shqipëri mendohet se mbijetojnë jo më shumë se 10 individë, çka e bën një nga gjitarët më të rrezikuar për zhdukje në vend.

Ndërkohë që popullata në të gjithë Ballkanin vlerësohet të jetë jo më shumë se 50 individë.

Ndaj Shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri  i bën thirrje të gjithë institucioneve në vend, që të reagojnë me urgjencë për të parandaluar në vazhdimësi raste të ngjashme, të cilat përbëjnë krime mjedisore, si dhe një rrezik serioz ndaj llojeve që janë drejt zhdukjes në vendin tonë.

EMISIONET