Arabia Saudite ndalon pelegrinët e huaj nga kryerja e Haxhit për shkak të pandemisë Covid-19

Arabia Saudite ndalon pelegrinët e huaj nga kryerja e Haxhit për shkak

Arabia Saudite ka njoftuar se Haxhi i sivjetëm do jetë shumë i kufizuar për besimtarët myslimanë për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në udhëtimin e fundkorrikut do lejohen të marrin pjesë vetëm ata pelegrinë që janë banorë të shtetit saudit.

Besimtarët e huaj myslimanë nuk do të mund të shkojnë këtë vit për pelegrinazhin e Haxhit në Arabinë Saudite prej rrezikut të përhapjes së koronavirusit.

Vendi vendosi të hënën t'i ndalojë pjesëmarrjen në pelegrinazhin e fundkorrikut myslimanëve që nuk kanë kombësi saudite ose që aktualisht nuk janë banorë të Arabisë Saudite.

Vendimi për kufizimin e haxhit u mor duke vlerësuar situatën epidemike të kohëve të fundit në botë, dhe në kuadër të vështirësive për të siguruar distanca të sigurta sociale mes pelegrinëve.

Më shumë se dy milionë e gjysmë persona udhëtojnë në qytetin e shenjtë të Mekës çdo vit, në një prej ritualeve fetare më të mëdha të botës.

Vizita njëjavore, nderimi i islamit dhe profetit në xhamitë e Mekës dhe Medinës dhe përmbyllja me Festën e Flijimit janë një domosdoshmëri për myslimanët e devotshëm dhe fizikisht të aftë, që kërkohet të kryhen të paktën një herë në jetën e tyre.

Por anulimi i pelegrinazhit të zakonshëm ishte paralajmëruar që në muajin mars, kur mbretëria arabe apeloi myslimanët nëpër botë që të mos bëjnë planifikime për udhëtime gjatë verës derisa të qartësohej situata me virusin vdekjeprurës.

Të dielën, Arabia Saudite lejoi rihapjen e disa bizneseve pas izolimit më shumë se njëmujor, ndërkohë që fluturimet dhe udhëtimet ndërkombëtare mbeten të pezulluara.

Në vend janë raportuar më shumë se 160 mijë raste me kovidin e ri dhe mbi 1,300 veta nuk i kanë mbijetuar dot sëmundjes infektive.

Me anulimin e Haxhit dhe të festave të sivjetshme fetare për shkak të pandemisë, Arabia Saudite planifikon që këtë fundvit dëmet financiare të kapin vlerën rreth 12 miliardë dollarë, sasi që i shtohet goditjeve të marra muajt e fundit edhe nga rënia e çmimeve të naftës në bursa.

Organizatat islamike në vend e kanë mirëpritur vendimin e fundit për udhëtimet për Haxh.

EMISIONET