Për të mbrojtur shëndetin e të drejtat e grave në këtë moment të emergjencës së pandemisë, shoqëria civile italiane e organizata të gjinekologëve e obstetrikëve, kërkojnë përdorimin e abortit farmakologjik në kushte shtëpie.

Pandemia ka evidentuar një tjetër emergjencë brenda emergjencës, që mund të sjellë pasoja të rënda në shëndetin e grave, për shkak të limitit të shërbimit të ndërprerjes vullnetare të shtatzanisë me rrezikun që sjell shtrimi në strukturat spitalore si dhe nga pezullimi i disa shërbimeve sanitare.

Procesi tradicional i ndërprerjes së vullnetshme të shtatzanisë në Itali kërkon një sërë kontrollesh mjekësore paraprake e kontakte në shumë struktura mjekësore që vë në rrezik serioz infektimi shëndetin e grave.

Gjithashtu ky moment e vështirësitë për të pasur shërbimin e garantuar me ligj, favorizon abortin ilegal e vë në rrezik të madh jetën e grave dhe të vajzave që kërkojnë të abortojnë.

Për këtë arsye mjekët gjinekologë e obstetrikë italianë, si dhe aktivistë të shoqatës civile dhe politikanë kanë firmosur një letër apel drejtuar qeverisë italiane ku kërkojnë aplikimin e ilaçit RU486 në dy spitale duke evituar shtrimin në spital, vazhdimin e kurës pas 36-48 orësh në shtëpi si dhe spostimin e trajtimit të kurës nga 7 në 9 javë.

Në letrën apel të mjekëve gjinekologë italianë i kushtohet vëmendje dhe grave emigrante, azilkërkueseve, e viktima të trafikut të qenieve njerëzore që nuk mundësi të marrin informacionin e duhur mbi këtë problematikë.

Ky apel është firmosur nga ish kryetarja e parlamentit italian Laura Boldrini, nga shkrimtari Roberto Savaiano, nga ish ministrja e shëndetit Livia Turco, nga ish ministrja e Arsimit Valeria Fedeli.

/Ora News.tv/